Preskoči na sadržaj Preskoči na bočnu traku Preskoči na podnožje

Ulqini – kryeqendër e dijes shkencore: Një traditë që fuqizon identitetin akademik të Universitetit “Haxhi Zeka”

Në Ulqin u mbajt Konferenca e XVIII Ndërkombëtare Shkencore, një nga platformat më të qëndrueshme të bashkëpunimit akademik në rajon, e organizuar nga Instituti për Kërkime Shkencore dhe Zhvillim Ulqin dhe në bashkëorganizim edhe me Universitetin “Haxhi Zeka”.

Për Universitetin “Haxhi Zeka”, kjo konferencë ka një rëndësi të veçantë dhe shumëdimensionale. Ajo nuk është vetëm një angazhim institucional në cilësinë e bashkëorganizatorit, por mbi të gjitha një vazhdimësi organike e një tradite akademike që buron nga ish-Fakulteti i Biznesit, si pararendës i njësisë më të madhe të universitetit. Kjo lidhje historike e bën këtë konferencë pjesë të identitetit kërkimor të UHZ-së dhe dëshmi të një kontinuiteti të pandërprerë në zhvillimin e veprimtarisë shkencore dhe publicistike.

Përgjatë 18 viteve, kjo platformë ka qenë një hapësirë e privilegjuar për gjenerata të tëra pedagogësh të Universitetit “Haxhi Zeka”, të cilët kanë prezantuar punime shkencore, kanë marrë pjesë në debate akademike dhe kanë publikuar në revistat shkencore të lidhura me këtë konferencë. Përmes kësaj përvoje të vazhdueshme, kërkimet dhe kontributet e tyre kanë tejkaluar kufijtë kombëtarë, duke fituar vlerë ndërkombëtare dhe duke kontribuar në ngritjen e profilit akademik të universitetit.

Në thelb të këtij suksesi qëndron vizioni dhe përkushtimi i Prof.dr. Elez Osmanit, ideator dhe promotor i kësaj konference. Për më shumë se një dekadë e gjysmë, ai ka arritur të ndërtojë dhe të ruajë një platformë të qëndrueshme shkencore, duke e shndërruar Ulqinin në një pikë referimi ndërkombëtare për kërkimin dhe shkencën. Kontributi i tij nuk është vetëm organizativ, por thelbësisht vizionar, duke krijuar një kulturë të mirëfilltë akademike që ka bashkuar studiues dhe institucione nga i gjithë rajoni.

Konferenca e këtij viti, me tematikë mbi zhvillimin e platformave inteligjente të planifikimit urban dhe rural të bazuara në inteligjencën artificiale, dëshmoi edhe një herë kapacitetin e kësaj platforme për të adresuar sfida bashkëkohore dhe për të ofruar zgjidhje inovative në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm. Pjesëmarrja e gjerë e universiteteve, instituteve kërkimore, institucioneve publike dhe shoqërisë civile nga rajoni e forcoi edhe më tej dimensionin ndërkombëtar dhe ndërdisiplinor të këtij aktiviteti.

Në kuadër të kësaj konference, Universiteti “Haxhi Zeka” ndërmori edhe një akt simbolik të rëndësishëm – ndarjen e mirënjohjeve për personalitete që kanë kontribuar në ruajtjen dhe zhvillimin e kësaj tradite shkencore. Ky akt nuk përfaqëson vetëm një vlerësim institucional, por edhe një reflektim të drejtpërdrejtë të rolit që kjo konferencë ka luajtur në fuqizimin e kapaciteteve kërkimore, në zgjerimin e bashkëpunimeve dhe në ndërkombëtarizimin e veprimtarisë akademike të universitetit.Në një kohë kur universitetet përballen me sfida të reja në raport me kërkimin shkencor dhe ndikimin e tyre në shoqëri, kjo konferencë mbetet një shembull i suksesshëm i asaj se si tradita, bashkëpunimi dhe vizioni afatgjatë mund të krijojnë platforma të qëndrueshme dhe me ndikim real.

Me përkushtim të përbashkët, Universiteti “Haxhi Zeka” dhe Instituti për Kërkime Shkencore dhe Zhvillim Ulqin tashmë kanë hedhur hapat për organizimin e Konferencës së XIX në vitin 2027, duke dëshmuar se kjo histori suksesi nuk është vetëm një e kaluar e lavdishme, por një e ardhme e sigurt drejt avancimit të mëtejmë të dijes dhe inovacionit.

Idi na vrh