Preskoči na sadržaj Preskoči na bočnu traku Preskoči na podnožje

Faleminderit znj. Fatmire Thaçi

Me shumë respekt, mirënjohje dhe emocion, sot i themi faleminderit znj. Fatmire Thaçi, e cila pas një jete të tërë të përkushtuar në shërbim të institucionit dhe njerëzve, pensionohet nga Fakulteti i Turizmit, Hotelerisë dhe Mjedisit i Universitetit “Haxhi Zeka”.

Rruga e saj profesionale fillon herët, në fund të vitit 2007, në ish-FSHAB, ku u punësua për herë të parë në cilësinë e bibliotekistes, për t’u zgjedhur dhe emëruar në fillim të vitit 2009 Sekretare e këtij institucioni. Që nga ato ditë e deri më sot, kontributi i saj nuk ka qenë kurrë thjesht detyrë, por mision. Me angazhim të jashtëzakonshëm dhe profesionalizëm të lartë, znj. Thaçi dha një kontribut të pazëvendësueshëm në përgatitjen e dokumentacionit dhe elaboratit për themelimin e Universitetit “Haxhi Zeka”, i cili u kurorëzua më 14.11.2011, duke hyrë në histori si një nga shtyllat administrative të këtij procesi themelor.

Më 20.09.2012, Këshilli i Përkohshëm Drejtues i UHZ-së e emëroi Ushtruese Detyre të Sekretares së Përgjithshme të Universitetit, detyrë që e ushtroi për disa vite me kredibilitet të lartë profesional, etikë akademike dhe përgjegjësi institucionale. Pas kësaj periudhe, ajo vazhdoi angazhimin e saj në Fakultetin e Turizmit, Hotelerisë dhe Mjedisit, në role të ndryshme administrative, duke mbetur gjithmonë shembull i korrektësisë, përkushtimit dhe qytetarisë.

Fatmira Thaçi ishte dhe mbetet modeli i njeriut të kompletuar: në punë, në sjellje, në etikë dhe në kulturë institucionale. Ajo i dha Universitetit “Haxhi Zeka” një pasqyrë dinjitoze të administratës universitare dhe kontribuoi në ndërtimin e një klime qytetare dhe civilizimi akademik. Puna dhe vlerat e saj jo vetëm që do të mbeten të paharruara në UHZ, por do të shërbejnë si shembull frymëzues për brezat që vijnë.

Personeli, kolegët, menaxhmenti, studentët, ish-studentët dhe të gjithë qytetarët që ajo i ka shërbyer me dinjitet dhe përkushtim do t’i jenë përherë mirënjohës.

Faleminderit, znj. Fatmire Thaçi, për gjithçka që keni dhënë. Pensionimi juaj shënon fundin e një kapitulli të madh shërbimi dhe fillimin e një periudhe të re, të merituar, me respektin e thellë të të gjithëve ne.

Idi na vrh