Prof. Dr. Armand Krasniqi Rektori i Universitetit “Haxhi Zeka”, së bashku me z. Luan Lulaj, Drejtor i Zyrës Ligjore të universitetit, zhvilluan sot një takim të rregullt pune me përfaqësuesit e Komunës së Klinës. Delegacioni i Universitetit u prit nga Prof. Dr. Zenun Elezaj, Kryetar i Komunës së Klinës, si dhe Dr. sc. Qemajl Sejdija, Drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit.
Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, duke reflektuar traditën e bashkëpunimit ndërmjet Universitetit “Haxhi Zeka” dhe institucioneve lokale të rajonit të Dukagjinit. Me këtë rast, Rektori Krasniqi informoi Kryetarin Elezaj për zhvillimet më të fundit dhe aktivitetet strategjike të universitetit, duke theksuar interesimin e vazhdimit dhe thellimit të bashkëpunimit institucional ndërmjet dy institucioneve.
Gjatë diskutimit u ritheksua roli i rëndësishëm që ka FERD – Forumi për Zhvillim Ekonomik Rajonal, si një platformë që synon të fuqizojë bashkëpunimin ndërmjet universiteteve dhe qeverisjes lokale për zhvillimin rajonal dhe për realizimin e projekteve të përbashkëta në interes të komunitetit. Në këtë drejtim, u diskutua nevoja që në këtë segment të ndërtohet një strategji më konkrete dhe më e koordinuar për zhvillimin e projekteve të përbashkëta ndërmjet universitetit dhe komunës.
Rektori Krasniqi shprehu gjithashtu gatishmërinë që, nëpërmjet Institutit për Shkencë dhe Arte (ISHA) dhe platformës Fard, Universiteti “Haxhi Zeka” në të ardhmen e afërt t’i ofrojë Komunës së Klinës shërbime profesionale dhe raporte hulumtuese, të cilat mund të kontribuojnë drejtpërdrejt në planifikimin dhe zhvillimin e politikave komunale dhe në avancimin e projekteve zhvillimore në nivel lokal.
Një ndër temat e rëndësishme të diskutimit ishte edhe kërkesa e Universitetit “Haxhi Zeka” që Komuna e Klinës të ofrojë mbështetje dhe ekspertizë në drejtim të institucionalizimit të punës praktike të studentëve nga kjo komunë. Në këtë kuadër, u diskutua mundësia e bashkëpunimit për hartëzimin e bizneseve dhe institucioneve relevante, të cilat mund të shërbejnë si hapësira për zhvillimin e aftësive profesionale dhe shkathtësive praktike të studentëve gjatë studimeve të tyre.
Nga ana e tij, Kryetari Zenun Elezaj shprehu gatishmërinë që institucionet publike komunale të Klinës, në segmente të ndryshme të administratës dhe shërbimeve publike, të jenë të hapura për pranimin e studentëve në programe të punës praktike, duke kontribuar në përgatitjen e tyre profesionale dhe në lidhjen më të fortë të arsimit të lartë me nevojat reale të tregut të punës.
Në përfundim të takimit, palët u dakorduan që bashkëpunimi ndërmjet Universitetit “Haxhi Zeka” dhe Komunës së Klinës të jetë i vazhdueshëm dhe konkret, duke u zhvilluar në mënyrë të strukturuar përmes drejtorive dhe sektorëve përkatës institucionalë. Në këtë proces pritet të aktivizohen edhe Zyrat e Karrierës, të cilat do të luajnë rol të rëndësishëm në ndërmjetësimin e praktikave profesionale dhe në ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet studentëve, institucioneve publike dhe sektorit ekonomik.
Ky takim përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm drejt forcimit të partneritetit ndërmjet universitetit dhe qeverisjes lokale, në funksion të zhvillimit të arsimit të lartë, përgatitjes profesionale të studentëve dhe avancimit të zhvillimit të qëndrueshëm në rajonin e Dukagjinit
