Preskoči na sadržaj Preskoči na bočnu traku Preskoči na podnožje

Takim institucional ndërmjet Universitetit “Haxhi Zeka” dhe Komunës së Pejës – Thellim i bashkëpunimit për zhvillimin e universitetit dhe komunitetit

Menaxhmenti i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë zhvilloi sot një takim pune me Kryetarin e Komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri, në kuadër të intensifikimit të bashkëpunimit institucional ndërmjet universitetit dhe pushtetit lokal për çështje me interes të përbashkët zhvillimor.

Në këtë takim, Universiteti “Haxhi Zeka” u përfaqësua nga Prof. Dr. Armand Krasniqi, Rektor i universitetit, Prof. asoc. Dr. Alma Shehu Lokaj, Prorektore, Prof. asoc. Dr. Vjosa Hajdari, Prorektore, si dhe z. Luan Lulaj, Drejtor i Zyrës Ligjore. Delegacioni universitar u prit nga Kryetari i Komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri dhe Nënkryetari Fatmir Asllani.

Gjatë takimit, Rektori Krasniqi e njoftoi Kryetarin Muhaxheri me proceset aktuale të zhvillimit në Universitetin “Haxhi Zeka”, të cilat lidhen me hartimin e Planit Strategjik të universitetit 2026 – 2030 dhe me angazhimet për ri konfigurim strukturor të institucionit në përputhje me sfidat dhe nevojat e reja të arsimit të lartë. Në këtë kontekst, u theksua edhe roli gjithnjë e më i rëndësishëm i universitetit në fushën e kërkimeve shkencore, inovacionit dhe realizimit të misionit të tretë të universitetit në shërbim të interesit publik dhe zhvillimit të komunitetit.

Një pjesë e veçantë e diskutimit iu kushtua ridefinimit të misionit të Universitetit “Haxhi Zeka” drejt modelit të një Institucioni të Arsimit të Lartë University 4.0, në të cilin bashkëpunimi me institucionet publike, komunat dhe sektorin ekonomik paraqet një element kyç për zhvillimin rajonal dhe krijimin e vlerës së qëndrueshme për shoqërinë.

Me këtë rast, Kryetari Muhaxheri ritheksoi dhe rikonfirmoi gatishmërinë e tij personale dhe të administratës komunale të Pejës për të mbështetur proceset zhvillimore të Universitetit “Haxhi Zeka”, si dhe aktivitetet dhe iniciativat e përbashkëta që kontribuojnë në zhvillimin akademik, ekonomik dhe shoqëror të qytetit dhe rajonit të Dukagjinit.

Palët u dakorduan që në të ardhmen të thellojnë edhe më tej komunikimin dhe koordinimin institucional, veçanërisht në funksion të mbështetjes së iniciativave zhvillimore si FERD – Forumi për Zhvillim Ekonomik Rajonal dhe UNI-NOVA – Qendra Universitare për Inovacion dhe Ndërmarrësi, të cilat synojnë të forcojnë lidhjen ndërmjet universitetit, institucioneve publike, biznesit dhe komunitetit.

Në kuadër të këtij takimi u diskutua për herë të parë edhe ideja për fillimin e elaborimit të një projekti për ndërtimin e konviktit dhe mensës studentore në kampusin universitar në Pejë, një iniciativë që synon përmirësimin e kushteve të jetës studentore dhe krijimin e një infrastrukture më të plotë universitare në shërbim të studentëve dhe zhvillimit të mëtejshëm të Universitetit “Haxhi Zeka”.

Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të partneritetit strategjik ndërmjet Universitetit “Haxhi Zeka” dhe Komunës së Pejës, në funksion të zhvillimit të arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe progresit të qëndrueshëm të komunitetit lokal.

Idi na vrh