Preskoči na sadržaj Preskoči na bočnu traku Preskoči na podnožje

Arritje historike e UHZ-së – Fakulteti Juridik akreditohet për periudhë pesëvjeçare

Fakulteti Juridik i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë ka shënuar një arritje historike, duke siguruar për herë të parë akreditim pesëvjeçar për programin “Juridik i Përgjithshëm” LLB (240 ECTS). Përveç programit bachelor, është akredituar edhe programi master “E Drejta dhe Siguria” LLM (120 ECTS), i cili përfaqëson një program unik dhe të veçantë në Kosovë dhe rajon. Ky program ofron një standard të avancuar dhe inovativ në përgatitjen e profesionistëve në fusha ndërdisiplinare, siç janë drejtësia dhe siguria.

Ky sukses i jashtëzakonshëm është rezultat i përkushtimit të pakrahasueshëm dhe bashkëpunimit të gjerë institucional.

Një rol kyç në këtë arritje ka pasur Dekani, Prof. Asoc. Dr. Petrit Nimani, së bashku me menaxhmentin e Fakultetit Juridik, menaxhmentin e lartë të universitetit, Rektorin, Prof. Dr. Armand Krasniqi, si dhe palët e tjera të përfshira në këtë proces.

Kontribut të veçantë kanë dhënë stafi akademik i fakultetit, bartësit e programeve të nivelit bachelor dhe master, prodekanët, si dhe të gjithë bashkëpunëtorët që kanë mbështetur zhvillimin dhe avancimin e programeve studimore. Një rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe studentët, Këshilli i Studentëve, Parlamenti Studentor dhe stafi administrativ, të cilët kanë qenë pjesë aktive e këtij procesi të rëndësishëm.

Mirënjohje e veçantë u shprehet edhe trupave këshillëdhënëse dhe partnerëve institucionalë, përfshirë Prokurorinë e Shtetit, gjykatat, avokatët, Policinë e Kosovës, noterët dhe përmbaruesit privatë, si dhe të diplomuarve dhe Zyrës për Sigurimin e Cilësisë, për angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme.

Një falënderim i veçantë i drejtohet Agjencisë së Akreditimit të Kosovës, e cila ka kryer procesin e vlerësimit në mënyrë profesionale, të paanshme dhe sipas standardeve të përcaktuara.

Ky akreditim dëshmon se Fakulteti Juridik i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë është shndërruar në një nga institucionet më të besueshme për përgatitjen e juristëve dhe profesionistëve të sigurisë, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë në rajon. Ai përfaqëson një dëshmi të qartë të cilësisë së lartë akademike, përkushtimit institucional dhe vizionit për zhvillim të qëndrueshëm në arsimin për drejtësi dhe siguri.

Fakulteti Juridik vazhdon të mbetet i përkushtuar në avancimin e programeve studimore dhe në përgatitjen e profesionistëve të së drejtës dhe sigurisë, të aftë për t’iu përgjigjur sfidave bashkëkohore dhe nevojave të sistemit të drejtësisë dhe sigurisë publike në Republikën e Kosovës.

Idi na vrh