Delegacioni i Universitetit “Haxhi Zeka” zhvilloi një vizitë zyrtare në Universitetin e Zarës, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe shkëmbimit të përvojave akademike e administrative ndërmjet dy universiteteve.
Delegacioni i UHZ-së pati kënaqësinë të pritet nga prof. dr. sc. Marko Lukić, prorektor për bashkëpunim ndërinstitucional dhe ndërkombëtar në Universitetin e Zarës, si dhe nga ekipi i departamenteve administrative të këtij institucioni prestigjioz.
Gjatë takimeve, përfaqësuesit e administratës së Universitetit “Haxhi Zeka” u njohën nga afër me organizimin dhe funksionimin administrativ në kuadër të mbështetjes së proceseve akademike në Universitetin e Zarës, me historikun e tij të pasur, si dhe me progresin dhe zhvillimin që ky institucion ka arritur ndër vite. Diskutimet u fokusuan në praktikat e menaxhimit universitar, ndërkombëtarizimin, shërbimet administrative për studentët dhe stafin, si dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme akademike dhe profesionale.
Vizita u karakterizua nga një atmosferë e hapur dhe konstruktive, ku shkëmbimi i përvojave ndërmjet departamenteve të të dy institucioneve u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt avancimit të partneritetit dhe zhvillimit të iniciativave të përbashkëta në të ardhmen.
Përfaqësuesit e UHZ-së e cilësuan këtë vizitë si një përvojë mbresëlënëse dhe frytdhënëse, e cila pritet të kontribuojë në thellimin e bashkëpunimit institucional dhe akademik ndërmjet dy universiteteve.


