Preskoči na sadržaj Preskoči na bočnu traku Preskoči na podnožje

Përmbyllet me sukses punëtoria ndërkombëtare e projektit NAWA në Universitetin “Haxhi Zeka”

Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë është përmbyllur me sukses punëtoria ndërkombëtare e projektit NAWA, e cila bashkoi 45 studentë, profesorë dhe ekspertë nga pesë universitete partnere evropiane në një javë të pasur me aktivitete akademike, kulturore dhe ndërkulturore.

Gjatë punëtorisë, studentët morën pjesë në ligjërata, diskutime, punë në grupe dhe aktivitete praktike, duke u fokusuar në temën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe mbrojtjes së trashëgimisë kombëtare. Përmes këtyre aktiviteteve, ata patën mundësi të zhvillojnë kompetenca të reja, të shkëmbejnë ide dhe të analizojnë nga perspektiva të ndryshme sfidat bashkëkohore të zhvillimit të qëndrueshëm.

Një pjesë e veçantë e programit ishin vizitat në lokacione të rëndësishme të trashëgimisë natyrore dhe kulturore të rajonit të Pejës. Këto vizita u mundësuan studentëve që njohuritë e fituara në aspektin teorik t’i lidhin me përvoja konkrete në terren, duke e bërë procesin e të nxënit më praktik dhe më gjithëpërfshirës.

Në aktivitetet e punëtorisë kontribuuan edhe ekspertë dhe hulumtues ndërkombëtarë nga Universiteti i Maltës, të cilët ndanë përvojën dhe ekspertizën e tyre akademike e profesionale me pjesëmarrësit.

Përtej aspektit akademik, punëtoria krijoi mundësi të rëndësishme për shkëmbim kulturor, krijimin e miqësive dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet studentëve dhe stafit akademik nga vende të ndryshme evropiane. Studentët pjesëmarrës vlerësuan lart mikpritjen, organizimin dhe programin e zhvilluar në Pejë, duke e cilësuar këtë përvojë si të veçantë dhe të paharrueshme.

Në ceremoninë përmbyllëse u certifikuan të gjithë pjesëmarrësit, ndërsa studentëve iu ndanë certifikata për pjesëmarrjen dhe angazhimin e tyre gjatë punëtorisë.

Në projektin NAWA bashkëpunojnë Universiteti “Haxhi Zeka”, Universiteti i Opoles në Poloni, Universiteti i Valencias në Spanjë, Universiteti Mendel në Brno të Republikës Çeke dhe Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës të Shqipërisë.

Për Universitetin “Haxhi Zeka”, ky projekt përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në procesin e internacionalizimit dhe forcimit të bashkëpunimit akademik e shkencor me universitetet evropiane. Studentët e UHZ-së kanë përfituar tashmë përvoja ndërkombëtare përmes aktiviteteve të zhvilluara në Universitetin Mendel në Brno dhe në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, ndërsa aktivitetet e projektit do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme.

Përmes iniciativave të tilla, Universiteti “Haxhi Zeka” vazhdon të krijojë mundësi të reja për mobilitet, shkëmbim akademik dhe zhvillim profesional, duke u ofruar studentëve përvoja ndërkombëtare dhe ndërkulturore që kontribuojnë në përgatitjen e tyre për tregun evropian të punës.

Idi na vrh