Në ambientet e Fakultetit Juridik të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, u mbajt, një takim informues me përfaqësues të Gjykatës Speciale për Kosovën, organizuar nga Youth Initiative for Human Rights Kosovo (YIHR KS), në bashkëpunim me Zyrën për Zhvillim të Karrierës dhe Fakultetin Juridik të UHZ-së.
Në emër të Fakultetit Juridik, të pranishmit i përshëndeti Prodekani, Prof. Ass. Dr. Mensur Morina, i cili falënderoi organizatorët dhe përfaqësuesit e Gjykatës Speciale për mundësinë që studentët të informohen nga afër mbi funksionimin dhe rolin e kësaj gjykate në sistemin e drejtësisë ndërkombëtare.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e Gjykatës Speciale prezantuan strukturën, kompetencat dhe mënyrën e funksionimit të institucionit, duke ofruar një pasqyrë të qartë mbi praktikat ligjore, procedurat dhe sfidat juridike që lidhen me punën e saj.
Studentët e Fakultetit Juridik morën pjesë në mënyrë aktive, duke adresuar pyetje interaktive dhe duke diskutuar rreth aspekteve praktike dhe profesionale që lidhen me karrierën juridike në fushën e drejtësisë ndërkombëtare.
Ky aktivitet u mirëprit nga studentët, të cilët treguan interesim dhe angazhim të lartë, duke e cilësuar takimin si një mundësi të vlefshme për përfitim praktik dhe akademik në drejtim të zhvillimit të tyre profesional.
Ky bashkëpunim ndërmjet Fakultetit Juridik të Universitetit “Haxhi Zeka”, YIHR Kosovo dhe Gjykatës Speciale përbën një shembull të rëndësishëm të lidhjes së akademisë me praktikën ligjore dhe të përkushtimit të UHZ-së për përgatitjen e juristëve të rinj me kompetenca bashkëkohore dhe integritet profesional.



