Studentët e Fakultetit të Biznesit përfunduan me sukses trajnimin praktik “Micro Business Game”, një iniciativë e krijuar për të zhvilluar aftësitë praktike dhe njohuritë e nevojshme në menaxhimin e bizneseve të vogla dhe startup-eve.
Gjatë dy ditëve, studentët punuan në simulime reale të menaxhimit të biznesit, duke aplikuar njohuritë në fusha si menaxhimi financiar, menaxhimi i operacioneve, marketing dhe shitjet, shërbimi ndaj klientit, si dhe burimet njerëzore. Vendimet e tyre në lojërat simulimi ndikuan drejtpërdrejt në performancën e projekteve, duke i përgatitur për situata reale menaxheriale.
Ky trajnim është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të universitetit për t’i përgatitur studentët me aftësi praktike dhe profesionale, të cilat i ndihmojnë të përballen me sfidat e tregut të punës dhe të ndërtojnë karriera të suksesshme në biznes dhe ndërmarrësi.
Universiteti “Haxhi Zeka” falënderon Agjencinë për Financim të Kosovës (AFK) për bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme si dhe trajnerët e AFK-së Mimoza Pasha dhe Donat Spahija për profesionalizmin dhe përkushtimin gjatë trajnimit.
Trajnimi u organizua nga Zyra për Zhvillim të Karrierës, duke konfirmuar angazhimin e universitetit për zhvillimin e aftësive praktike dhe profesionalizmit tek studentët.










