Preskoči na sadržaj Skip to sidebar Preskoči na podnožje

Mbahet sesioni informues për Raundin XVI të Young Cell Scheme, Programi i BE-së për bursa postdiplomike

Sot, në Fakultetin e Biznesit, u mbajt sesioni informues për bursa postdiplomike në kuadër të programit të BE-së Young Cell Scheme, i organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës. Programi u prezantua nga përfaqësuesit z. Fitim Sopi dhe znj. Arjeta Galimuna.

Ky sesion shërbeu si një mundësi e rëndësishme për studentët dhe të diplomuarit e Universitetit “Haxhi Zeka” që të informohen nga afër rreth procesit të aplikimit, kritereve të përzgjedhjes dhe përfitimeve që ofron programi Young Cell Scheme.

Gjatë sesionit u prezantuan mundësitë për studime master në universitetet e vendeve të Bashkimit Evropian, duke përfshirë fushat e studimit dhe universitetet partnere, si dhe u shpjegua në detaje procesi i aplikimit, dokumentacioni i nevojshëm dhe kriteret e përzgjedhjes. Po ashtu, u diskutuan përfitimet e bursës dhe mbështetja financiare që ofrohet për studentët, si dhe u përshkrua i gjithë rrugëtimi nga aplikimi deri te integrimi në tregun e punës pas kthimit në Kosovë.

Young Cell Scheme – Raundi XVI është një program bursash i financuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Kosovës, i cili ofron bursa të plota për studime master në universitetet e vendeve të BE-së, si dhe punësim të garantuar për tre vjet në shërbimin civil të Kosovës pas përfundimit të studimeve.

Sesioni u mbyll me një diskutim të hapur dhe një segment pyetje–përgjigje, gjatë të cilit pjesëmarrësit patën rastin të parashtrojnë pyetje konkrete në lidhje me procesin e aplikimit dhe mundësitë për angazhim profesional pas përfundimit të studimeve. Për ta, ky aktivitet u vlerësua si shumë i vlefshëm dhe si një mundësi shumë e mirë për zhvillim të karrierës.Informata shtesë:
Rules of Procedure YCS Round XVI
🌐 www.ycskosovo.org
📧 [email protected]

Leave a comment