fbpx
Zhvillimi strategjik i institucioneve të arsimit te lartë në Kosovë: Praktikat dhe sfidat aktuale

Zhvillimi strategjik i institucioneve të arsimit te lartë në Kosovë: Praktikat dhe sfidat aktuale

Kumtesa e rektorit të UHZ-së, prof. dr. Armand Krasniqi në konferencën e II-të vjetore mbi arsimin e lartë të organizuar nga HERAS+ “Përgjigje praktike ndaj debateve mbi monitorimin dhe lveresimin e zbatimit të strategjive të Universitetit

Të nderuar pjesëmarrës dhe panelistë,
Kjo kumtesë ka për qëllim të nxisë debatin lidhur me rëndësinë që ka planifikimi strategjik në progresin e IAL-ve në Republikën e Kosovës. Gjithashtu, shkurtimisht përfshinë rëndësinë që ka faza e monitorimit të zbatimit të planit strategjik. Jemi të ndërgjegjshëm se tema është tepër komplekse, në veçanti për rrethanat kosovare. Studimi i të gjitha anëve të saj kërkon qasje multi-disiplinare dhe profesionale.
Megjithatë, në vendin tonë, në tre ose katër vitet e fundit, si një nga përgjigjet në pyetjen e menaxhimit të një sistemi shoqëror kaq kompleks siç është sistemi arsimor, në mesin e audiencës profesionale, koncepti i udhëheqjes ka filluar të promovohet gjithnjë e më shumë dhe atë lidhur me politikat dhe praktikat arsimore në bazë të informatave të mbështetura nga evidenca (treguesit dhe gjetjet e hulumtimit).
Në kërkim të një përgjigjeje për pyetjen se si të bëhet arsimi i lartë kosovar më i përshtatshëm, efikas dhe më i pranueshëm, mbi bazat e një shoqërie të epokës së re digjitale dhe moderne, detyrimisht është nevojshme të konsideroheshin mekanizmat dhe mjetet e disponueshme nga fusha e shkencës së menaxhimit, që padyshim shërbejnë si mbështetje për institucionet në këtë proces.

Prandaj, objekt i vështrimit tonë në këtë temë është koncepti menaxhimit të planeve strategjike dhe zbatimi të tyre në kuptim të zhvillimit të standardeve arsimore moderne në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë.
Ndryshe nga ekonomia, ku ka disa dekada përvojë në aplikimin e zgjidhjeve dhe mjeteve udhëheqëse, kultura e të menduarit projektues gjegjësisht strategjik në sferën e arsimit është shumë e vonshme. Institucionet arsimore në botë vetëm nga vitet ’90 të shekullit të kaluar kanë filluar të aplikojnë konceptin e planifikimit të zhvillimit për arsyen se filluan ta konsiderojnë atë si një mekanizëm për zgjerimin e shërbimeve arsimore, rritje të cilësisë së tij dhe ofrim të shërbimeve më të mira për komunitetin.
Dallimi kryesor midis qasjes ndaj menaxhimit të projekteve brenda ekonomisë dhe brenda sektorit publik, duke e përfshirë këtu edhe sektorin e arsimit universitar, reflektohet në përcaktimin dhe orientimin e tyre drejt qëllimeve. Zakonisht, menaxherët në sektorin privat janë të fokusuar në vlerën e aksioneve dhe nevojat e konsumatorëve, ndërsa menaxherët në sektorin publik fokusohen në përmbushjen e interesit publik, çdo herë në bazë të shumës së parave të marra nga buxheti në përputhje me politikën e përgjithshme qeveritare.
Në Kosovë procesi i planifikimit të zhvillimit strategjik në IAL është i vonshëm gjegjësisht, daton rreth viteve 2015 e tutje. Vlen të rikujtohet se në fushën e arsimit të lartë, planifikimi strategjik fillimisht nuk u ofrua me mbështetje të konsiderueshme të institucioneve shoqërore, por fokusi u orientua në ndërtimin e mekanizmave të sigurimit të cilësisë si reflektim mbi politikën e arsimit të lartë. Duke e interpretuar frymën e dispozitave të Ligji për Arsimin e Lartë, padyshim mund të thuhet se planifikimi strategjik përfaqësonte mandatin e universitetit dhe të komuniteti akademik për përfshirje në planifikimin strategjik në kuadër të kapaciteteve të saj.


Gjerë më tani në arsimin e lartë publik, mbase edhe ka qenë e pritshme, është zbatuar një model i thjeshtë menaxhimi i kompozuar me pritjet e mundshme (inputet) të lidhura me financimin dhe në anën tjetër rezultatet (outputet) të lidhura për numrin e të diplomuarve dhe rezultatet e kërkimit. Mekanizmat për sigurimin dhe kontrollin e cilësisë u prezantuan për qëndrueshmërinë e cilësisë në këto institucione dhe për të parandaluar rënien e saj që mund të ketë ndodhur për shkak të presionit të bërë për kostot gjithnjë e më të ulëta, por jo vetëm. Një fakt nuk duhet injoruar, përkundrazi! Universitetet publike për dallim nga ato private, kanë liri relativisht të kufizuar mbi reflektimin strategjik sepse koncepti i financimit dhe struktura e menaxhimit janë të përcaktuara dhe të limituara në nivel kombëtar.


Definimi i vizionit, i deklaratës së misionit dhe vlerave, vënë në pah rëndësinë e tyre në të cilat universiteti beson sot dhe në të ardhmen. Këta komponentë janë pika thelbësore e vendimtare për komunitetin akademik me të cilët e për të cilët ai institucion vepron dhe duhet të veprojë. Në anën tjetër, një numër i caktuar i IAL-ve publike në vend, kanë të publikuara vizione dhe deklarata të misionit të cilat fillimisht, jo vetëm që nuk përputhen me koncept dokumentet për themelimin e universitetit, por nuk janë në përputhje as me ato të prezantuara në statutet e tyre në fuqi si akte juridike bazike universitare. Po ashtu, IAL-të, nuk janë kujdesur që së paku t’i orientojnë programet e studimit, projektet shkencore, bashkëpunimin ndërkombëtar, financimin dhe mbështetjen e personelit të brendshëm akademik drejt vlerave në të cilat besojnë. Nga ky këndvështrim, kjo qasje dhe ky mentalitet sigurisht që nuk përmban dhe nuk garanton zbatim të misionit, ose thënë shkurt kemi të bëjmë me një situatë të çekuilibruar të sistemit.
Në planet strategjike të cilat i kemi analizuar rezulton se përcaktimi i prioriteteve strategjike ka qenë një “fontanë dëshirash” për shkak se ato ishin të pambështetura në një kornizë të thjeshtë analitike për mbledhjen e të dhënave, për gjetjen e opsioneve strategjike e përzgjedhjen në mesin e tyre, si dhe për sigurimin e mbështetjes së strukturave kryesore të menaxhmentit, komunitetit akademik, studentëve dhe anëtarëve të tjerë të rëndësishëm për planin strategjik.


Për shkak të vendosjes së prioriteteve strategjike jo reale e të pa studiuara mirë, ka rezultuar që objektivat dhe planet e punës të dështojnë. Për mendimin tonë, ato do duhej të shqyrtonin çështje të rëndësishme ai ajo e kalimit nga një dokument i përpiluar mirë në implementim të tyre në bazë të veprimeve ditore.
Në mungesë të një plani të mirëfilltë strategjik, duke i pasur parasysh edhe ato që i theksuam më lartë, del se nuk kemi proces real të matjeve dhe rishikimit të progresit ose kemi vetëm raporte të cilat vetëm në mënyrë sipërfaqësore do të duhej të trajtonin aspekte më të rëndësishme të veprimit në universitet.
Një nga sfidat kryesore me të cilat ballafaqohen drejtuesit e institucioneve të arsimit të lartë në vendin tonë, në kushte të tilla, padyshim është mënyra se si të përkthehen strategjitë e përcaktuara në politika konkrete, me kornizë tematike në nivelin operativ në shtrirje dhe mbulim sa më të gjerë, si dhe në matje të suksesit për zbatimin ose moszbatimin e tyre. Studimet ndërkombëtare si PISA (OECD), EURYDICE dhe projekti STEPS (Balkanskat,) përshkruajnë seriozitetin e hendekut midis zbatimit të strategjive dhe ndikimin e tyre negativ në arritjet e të nxënit, si dhe në anën tjetër, nevojën për veprim urgjent të të gjitha palëve të interesit.


Arsyeja e trajtimit të kësaj teme në këtë konferencë buron nga besimi se rëndësia e arsimit të lartë për procesin e ndërtimit të organizuar dhe sistematik të kapitalit njerëzor e shoqëror në shoqëritë moderne po rritet, duke e përfshirë edhe Republikën e Kosovës. Kjo qasje ka marrë një dinamikë më serioze pavarësisht tranzicionit, sfidave dhe kufizimeve.
Besojmë se kjo temë, duke e pasur parasysh kohën qe kemi në dispozicion, në mënyrë të veçantë, pretendon të vë në pah nevojat specifike që kanë institucionet e arsimit të lartë për mundësinë e aplikimit të konceptit të planifikimit dhe menaxhimit strategjik, mbi bazën e të cilit do të orientohet zhvillimi dhe zbatimi i standardeve më të larta arsimore në institucionet e arsimit të lartë.
Në këtë kontekst IAL-të, duhet të rishikojnë:
Vendin që ka planifikimi strategjik dhe menaxhimi strategjik në IAL, në punën e përditshme të institucioneve të arsimit të lartë / universiteteve;
Potencialin për organizim dhe shpërndarje më të mirë të burimeve për të kontribuar në ndërtimin e një kulture të institucioneve, të orientuar drejt standardeve dhe rritjes së efikasitetit të punës; dhe
Potencialet e zhvillimit brenda segmenteve universitare, siç janë: financimi, infrastruktura e TI-së, kërkimi, cilësia e mësimdhënies dhe mësim-nxënies, ndërkombëtarizimi dhe zhvillimin profesional gjegjësisht, profilizimi dhe specializimi i komunitetit akademik.


Mbi këto baza, si në formë po ashtu edhe në përmbajtje, duhet të përcaktohet qartë një kornizë efektive e menaxhimit strategjik për aplikimin e standardeve të dhëna, si një mjet që mund të përdoret për të thjeshtuar të menduarit strategjik, planifikimin e projekteve akademike e shkencore dhe menaxhimin e burimeve për t’i orientuar ato në drejtim të aplikimit adekuat të standardeve të cilësisë në arsim, informacionit dhe komunikimit në procesin e mësimdhënies dhe mësim-nxënies.
Besojmë se shumë institucione të arsimit të lartë në vendin tonë, tashmë duhet ta njohin procesin e planifikimit dhe menaxhimit strategjik me bazë metodologjike për t‘ju qasur një drejtimi që stimulon inovacionet dhe realizimin e ndryshimeve të dëshiruara. E gjithë kjo për të përmirësuar cilësinë, për të rritur efektivitetin dhe efikasitetin e ofrimit të shërbimeve arsimore. Ajo çfarë pritet të qartësohet ka të bëjë edhe me një proces paraprak, por shumë të rëndësishëm, e që është sinkronizimi i vizionit dhe misionit të universitetit me objektivat e planifikimin e mprehtë të tyre. Prandaj, mirë planifikimi nënkupton angazhim, vigjilencë dhe kujdes që një veprimtari e tillë të bëhet me përgjegjësi profesionale, e përbashkët si për drejtuesit ashtu edhe për të gjithë punonjësit, për studentët, bizneset, OJQ-të dhe strukturat e pushtetit lokal dhe qendror.

Mjedisi Shoqëror, Ekonomik Universitar

Duke qenë se procesi i të menduarit strategjik kushtëzohet nga veçoritë e mjedisit më të gjerë socio-ekonomik, planifikimet strategjike që i kushtohen arsimit universitar dhe kontekstit social të tij, duhet fokusuar në shqyrtimin e sfidave kryesore që sjellin me vete disa nga tendencat shoqërore bashkëkohore të lidhura me arsimin e përhershëm – si model bazë i menaxhimit të politikave sociale në shoqëritë moderne, të mishëruara me:
Procesin e Bolonjës, si një mekanizëm që drejton ndryshimet strukturore në sistemet e arsimit të lartë të vendeve pjesëmarrëse;
Ndërkombëtarizimin dhe globalizimin që kushtëzojnë shfaqjen e karakteristikave të reja në nivelin ndërkombëtar të arsimit të lartë (veçanërisht në këtë fushë, tregtia e shërbimeve arsimore):
Politika arsimore evropiane në fushën e arsimit të lartë,
Sfidat e tranzicionit dhe
Tiparet e një shoqërie me ekonomi të bazuar në dije.

Të gjitha këto procese, megjithëse mund të konsiderohen edhe veçmas, janë të ndërthurura dhe formojnë një imazh të jashtëm shumë kompleks të shoqërisë që institucionet e arsimit të lartë duhet ta kuptojnë dhe të tregojnë një shkallë të mjaftueshme fleksibiliteti dhe përshtatshmërie në raport me to, në mënyrë që puna e tyre të mbetet e përshtatshme dhe që ato të bëhen / mbeten konkurruese.
Planifikimi strategjik në kuadër të IAL-ve në Kosovë, në pjesën që do të duhet të trajtojnë ndërkombëtarizimin dhe globalizimin, në përmbajtje të saj duhet fokusuar edhe në rishikimin e karakteristikave të marrëveshjes së përgjithshme për tregtinë e shërbimeve në fushën e arsimit të lartë. Gjithashtu, duhet fokusuar në rolin që luajnë standardet dhe rekomandimet arsimore të promovuara nga agjenci e organizata profesionale ndërkombëtare, të cilat janë faktorë me ndikim të jashtëzakonshëm në proceset moderne të ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë dhe tregtinë ndërkufitare të shërbimeve arsimore.


Për një plan real strategjik, të sinkronizuar si në pikëpamje formale ashtu dhe materiale, konkretisht të zbatueshëm, patjetër duhet të jetë në varësi të specifikave të secilit IAL në vend. Prandaj, është më rëndësi analizimi i tipareve themelore të secilit prej tyre në relacion me sistemin e arsimit të lartë vendor. Në këtë kontekst, karakteristikat, aktivitetet, strukturat dhe mekanizmat e menaxhimit të sistemit modern të tyre duhet renditur në përputhje me ato që janë promovuar nga institucionet qeverisëse të arsimit të lartë. Padyshim, disa nga elementë të sistemit janë paraqitur dhe përshkruar në Ligjin për Arsimin e Lartë, Strategjinë për Zhvillimin e Arsimit të Lartë në Republikën e Kosovës, si dhe në dokumentet e tjera që i aplikon Agjencia Kosovare e Akreditimit, të cilat tanimë kanë zënë vend qendror.
Sipas këndvështrimit tonë, për rrethanat në të cilat gjenden IAL-të, vlerësojmë se një rishikim i veçantë i këtyre veçorive përbrenda sistemit të vet dhe raporti që duhet të krijojnë ato me sistemin e arsimit të lartë në përgjithësi, duhet fokusuar në katër nën kategori, si:
Financimi;
Cilësia e mësimdhënies dhe mësim-nxënies;
Kërkimi shkencor dhe
Profilizimi.
Këta komponentë duhet të përfshijnë edhe kompetencat digjitale të punonjësve në arsimin e lartë, të cilat janë parë si një parakusht kyç për aplikimin e teknologjisë arsimore në procesin e mësimdhënies dhe të të nxënit.


Përfundimisht, në kuptim metodologjik plani i menaxhimit strategjik të IAL-ve, do të duhej gradualisht t’i shmanget qasjeve tradicionale dhe me urgjencë të kalohet në drejtim të atyre të menaxhimit modern duke i identifikuar dhe diskutuar çështjet me rëndësi për ndërtimin e një kulture ndërmarrësie. Më tej, qasjet moderne të planeve strategjike e orientojnë menaxhmentin të jetë qartë dhe forcërisht i përqendruar në hulumtime të të dhënave të nevojshme për shqyrtimin e mundësive lidhur me aplikimin e të gjeturave dhe aktiviteteve të evidentuara në listën e treguesve të harmonizuar në arsimin e lartë.
Konsiderojmë se problemi qenësor për sukses në zbatimin e një plani korrekt strategjik është pjesa e identifikimit të elementeve bazë të hulumtimit të të dhënave paraprake. Të dhënat empirike dhe informacionet tjera (raporte, studime, publikime, të dhëna për performancën institucionale dhe personale, gjetjet e hulumtimit, të dhënat statistikore, raportet e vlerësimit, konsultimet me palët e interesuara, mendimet e mbledhura të ekspertëve, modelimi ekonomik dhe demografik, etj), të siguruara paraprakisht duhet të shërbejnë si një bazë e qartë në mënyrë që të tregohet rrjedha e hulumtimit. Gjithsesi, kjo praktikisht realizohet përmes renditjes së grupeve të interesit, numrit të tyre, renditjes së instrumenteve të hulumtimit dhe shpjegimit të rrjedhës së përpunimit të të dhënave në përgjithësi.
Modeli i duhur i një plani zhvillimor strategjik do të rrisë peshën totale të nivelit të arsimimit në të gjithë popullsinë dhe në vazhdim universiteti ynë do të shihet lartë, si lider potencial në këtë proces, me karakteristika të ekonomisë moderne të bazuar në dije e në funksion të rritjes së peshës së kapitalit intelektual në të ardhurat kombëtare bruto, si dhe transmetimin e këtij kapitali në aspektin social dhe organizativ.

Monitorimi i zbatimit të planit strategjik
Plani strategjik është një dokument evolues dhe dokument pune, e kurrsesi një projekt statik suksesi. Efektiviteti i zhvillimit në universitet është i dukshëm vetëm në bazë të treguesve dhe përcaktuesve specifikë që rezultojnë nga monitorimi dhe vlerësimi sistematik i veprimeve apo mos veprimeve.
Hulumtimet tregojnë se IAL-të publike vendore nuk i kushtojnë rëndësinë e nevojshme monitorimit dhe vlerësimit të planifikimit strategjik. Në mungesë të të dhënave për vlerësimin e rezultateve, nuk korrigjohen as dokumentet strategjike. Pasojë e kësaj situate janë sfidat në të cilat po kalojnë ato. Efikasiteti i dobët për t’u përshtatur ndaj kushteve dhe rrethanave të reja, reflektohet në cilësinë e jetës dhe punësimit të studentëve.


Duke u nisur nga ajo që u elaborua më sipër, si dhe në mungesë të informatave e të publikimeve, raporteve të monitorimit lidhur me zbatimin e planit strategjik në shumicën e IAL-ve të vendit tonë, me siguri del se planet e zhvillimit strategjik nuk zbatohen plotësisht dhe rrjedhimisht ato as që monitorohen.
Në pjesën me të madhe të IAL-ve, nuk kemi një sistem efektiv të menaxhimit të performancës që duhet rishikuar në intervale të rregullta kohore, e që kanë të bëjnë me nivelet e sigurimit të cilësisë, kërkimit shkencor, ndërkombëtarizimit, profilizimit të kuadrit, kohezionit të programeve, kohezionit të misionit dhe vizonit në raport me pozitën e universitetit, arritjet individuale, ekipore, të departamenteve gjegjësisht, në raport me të gjitha arritjet kundrejt objektivave.


Prandaj, mendojmë se aktualisht nuk kemi ose kemi së paku një proces të ndërtuar rishikimi të planit strategjik në baza vjetore. Po ashtu, besojmë se as në mungesë të këtyre të dhënave, Këshillat Drejtues të IAL-ve, nuk mund të kenë raporte të besueshme për adresim të mëtejmë.
Një rishikim sistematik i progresit është thelbësor për realizimin e planit strategjik. Projektimi dhe implementimi i sistemeve për menaxhimin e performancës është një temë e madhe dhe është jashtë fushëveprimit të kësaj kumtese. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se proceset efektive të menaxhimit të performancës janë pjesë integrale e zbatimit të strategjisë.
IAL-të në vendin tonë duhet të planifikojnë rishikimin periodik dhe vjetor të zbatimit të planit strategjik, progresin e njësive akademike dhe organizative në universitet për secilin nga objektivat strategjike.

Please follow and like us:
ShqipBosanskiEnglish