fbpx
Fjala e rektorit për fillimin e vitit të ri akademik 2021/2022

Fjala e rektorit për fillimin e vitit të ri akademik 2021/2022

Të dashur studentë! 

Ju sot po e hapni një kaptinë të re në jetët tuaja, atë të kërkimit të dijeve. Kjo është dita të cilën – jam i sigurt – secili prej jush e keni ëndërruar gjatë; dita kur ju keni vendosur ta hapni një dritare të re, për veten, për familjet tuaja e për rrethin tuaj. Të takoni miq të rinj, të zëni njohuri të reja dhe të përgatiteni për t’i shërbyer vendit tuaj nesër. 

Jam i vetëdijshëm se kur hapen shtigje të reja, ngjallen dilema të reja: ndoshta edhe drojë e re nëse do t’ia dilni. Por, unë jam këtu sot që, në cilësinë e rektorit të posazgjedhur të universitetit “Haxhi Zeka”, t’ju uroj mirëseardhje dhe t’jua jap mbështetjen time, të stafit akademik dhe të të gjithë punonjësve të këtij universiteti, që rrugëtimi i ri, të cilën ju po e nisni sot, sado sfidues që të duket, është  hapi më i rëndësishëm dhe më frytdhënës për ju. Këtë rrugëtim ne do ta bëjmë së bashku, duke mësuar nga njëri-tjetri e duke e ndihmuar njëri-tjetrin. 

Të gjithë ne në universitet do të punojmë me integritet dhe ndërgjegje në menaxhimin e procesit të mësimëdhënies me ju në qendër. Devotshmëria dhe përpjekjet tuaja do të jenë ndihma jonë më e madhe në këtë proces. 

Unë besoj fort se procesi i edukimit është mision, përgjegjësi dhe angazhim i dyanshëm, prandaj le të punojmë së bashku në krijimin e një shoqërie të përgjegjshme dhe të një të ardhmeje më të mirë.

Fatkeqësisht, edhe ky vit, ashtu si edhe viti paraprak, mbetet vit sfidues për të gjithë ne, të cilin do të na duhet të përballojmë me rigorozitet dhe vetëdije, duke respektuar masat anti – covid si mjeti më efektiv për të kontrolluar dhe mposhtur pandeminë. Qëllimi ynë për vitin e ri akademik është rifillimi i mësimeve fizikisht, me shpresën se ashtu do e vazhdojmë deri në fund të tij. 

Prandaj le ta nisim së bashku këtë rrugëtim të bukur, me bindjen e plotë se asnjë kufizim, sado i madh në dukje, nuk do ta pengojë përmbushjen e ëndrrës suaj të bukur. Ajo është e bukur sot, por do të jetë edhe më e bukur kur ju, në përfundim të studimeve, do t’i gëzoheni së bashku me realizimit të saj. 

Na priftë e mbara! 

Translate »