Sot, në ambientet e Fakulteti të Arteve në Tiranë, u zhvillua një takim i ngrohtë dhe mjaft i rëndësishëm ndërmjet dy institucioneve të arsimit të lartë artistik. Dekani i Fakultetit të Arteve në Tiranë, prof. Arben Llozi, priti në një takim zyrtar në zyrën e tij dekanin e Fakultetit të Arteve – Pejë, prof. dr. Fatbardh Gashi.
Gjatë këtij takimi u diskutuan një sërë çështjesh me interes të përbashkët, të cilat ndërlidhen ngushtë me zhvillimin e arsimit artistik, avancimin e programeve studimore, shkëmbimin e stafit akademik dhe studentëve, si dhe organizimin e aktiviteteve të përbashkëta artistike dhe shkencore. Të dy dekanët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional si një faktor kyç për ngritjen e cilësisë në arsimin e lartë në fushën e arteve.
Një theks i veçantë iu kushtua edhe projekteve të përbashkëta që synojnë fuqizimin e praktikave bashkëkohore artistike, rritjen e mobilitetit akademik dhe krijimin e hapësirave të reja për bashkëpunim rajonal dhe ndërkombëtar.
Vlen të theksohet se bashkëpunimi ndërmjet dy fakulteteve tashmë ka një traditë disa vjeçare, duke u konkretizuar në aktivitete të përbashkëta, koncerte dhe projekte kërkimore, të cilat kanë kontribuar dukshëm në zhvillimin profesional të studentëve dhe stafit akademik.
Në përmbyllje të takimit, të dy palët shprehën gatishmërinë për thellimin e mëtejmë të këtij bashkëpunimi dhe për konkretizimin e nismave të reja në funksion të avancimit të arsimit dhe kulturës artistike në rajon.
