fbpx

Historiku i institucionit

Universiteti Publik “Haxhi Zeka” i cili u themelua si Universitet i pavarur në vitin 2011 është vazhdimësi e Fakultetit të Shkencave të Aplikuara në Biznes (FSHAB) në Pejë.

FSHAB u themelua në vitin 1960 me vendimin e Këshillit Ekzekutiv të KSAK si “Shkolla e Lartë Ekonomike – Komerciale” në Pejë e cila fillimisht kishte vetëm seksionin e Afarizmit Komercial në Ndërmarrje dhe në fillet e saja kishte numër të kufizuar të mësimdhënësve dhe studentëve. Veprimtaria dhe zhvillimi i “Shkollës së Lartë Ekonomike” u orientua në ndërtimin e planprogrameve të studimeve të rregullta që i përgjigjeshin kushteve ekonomiko shoqërore dhe nevojave të zhvillimit ekonomik të kohës. Në këtë mënyrë, u mundësoi mijëra studentëve nga të gjitha trojet shqiptare që të kryenin studimet dhe të avanconin në karrierën e tyre.

“Shkolla e Lartë Ekonomike” në Pejë përjetoi disa periudha kohore mjaft interesante dhe të rëndësishme ekzistenciale. Si ato të viteve:

  • 1960-1974, që ishte periudha e formësimit dhe e krijimit të identitetit institucional;
  • -1975- 1990, që ishte periudha e afirmimit të shkollës në Kosovë dhe në të gjitha vendet tjera përreth Kosovës;
  • 1991-1999, që ishte periudha e mbijetesës, me anë të vazhdimit të kontinuitetit nëpërmes organizimit paralel të mësimit nëpër shtëpi private;
  • 2000 – 2006, që ishte periudha e rioraganizimit të FSHAB-së ku:

“Shkolla e Lartë Ekonomike” u reformua sipas modelit të Deklaratës së Bolonjës dhe u riemërua “Shkolla e Biznesit” ku studimet zhvilloheshin në tri departamente: Administrim Biznesi, Informatikë e Aplikuar në Biznes dhe Menaxhment në Turizëm dhe Hotelieri. Në vitin 2002 organizohen studime në gjuhën boshnjake në departamentin Administrim Biznesi.

Nga viti 2004 “Shkolla e Biznesit” emërtohet “Fakulteti i Shkencave të Aplikuara të Biznesit”. Që nga viti 2007 FSHAB studimet i zhvilloi në tri departamente: Departamenti Administrim Biznesi në të dy gjuhët (shqipe dhe boshnjake); Departamenti Kontabilitet dhe Financa të Biznesit; dhe Departamenti Menaxhment në Turizëm dhe Hotelieri. Në mars të vitit 2009 programet e FSHAB u akredituan nga Agjencioni për Akreditim në nivelin Bachelor dhe Master.

Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë është themeluar në shtator te vitit 2011 me vendim të Kuvendit të Republikës së Kosovës (vendim nr. 434/01B, datë 14.11.2011)

Universiteti “Haxhi Zeka” sot

Universiteti “Haxhi Zeka” në përbërjen e vet ka pesë fakultete:

  • Fakulteti i Biznesit;
  • Fakulteti i Menaxhimit në Turizëm, Hotelieri dhe Mjedis;
  • Fakulteti Juridik;
  • Fakulteti i Agrobiznesit dhe
  • Fakulteti i Arteve.

Universiteti “Haxhi Zeka” ka marrëdhënie bashkëpunimi me të gjitha institucionet shtetërore dhe ndërkombëtare që operojnë në Republikën e Kosovës. Ka gjithashtu marrëveshje bashkëpunimi me institucione të arsimit të lartë në nivel rajonal dhe ndërkombëtar dhe është gjithashtu partner në projekte të ndryshme në kuadër të programeve siç janë: Erasmus +, TEMPUS, etj.

Universiteti “Haxhi Zeka” synon që përmes planit afatmesëm dhe afatgjatë të krijojë profil të ri në fushën e veprimtarisë akademike dhe në zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar. Në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë aktualisht vijojnë studimet 11.254 studentë. Nga viti 2012 deri në vitin 2019 kanë përfunduar studimet mbi 4.455 studentë.

Menaxhmenti i lartë, i gjithë stafi akademik dhe administrativ i Universitetit janë të përkushtuar në ngritjen e cilësisë, që studentët tanë të jenë të aftë dhe konkurrues në tregun e punës.

Translate »