Vizita e  Delegacionit të Universitetit “Haxhi Zeka” në Bosnjë dhe Hercegovinë

Gjatë vizitës dy ditore në Sarajevë, përfaqësuesit e Universitetit “Haxhi Zeka” të kryesuar nga rektori Prof.Dr.Fadil Millaku u takuan me rektorin e Universitetit të Sarajevës Prof.Dr.Rifat Škrijelj si dhe me përfaqësuesit e tjerë të këtij universiteti.

Gjatë kësaj vizite ata diskutuan rreth mundësive të thellimit të bashkëpunimit të mëtutjeshëm mes dy universiteteve. Në takim u bisedua për mundësitë e bashkëpunimit përmes shkëmbimit të stafit akademik, hulumtuesve dhe studentëve, si dhe organizimi i programeve të përbashkëta të studimit, hulumtimit dhe aktivitetet artistike si dhe çdo gjë tjetër me interes të ndërsjellë.

Në mënyrë që të zhvillojë dhe promovojë bashkëpunimin, Universiteti “ Haxhi Zeka”, vizitoi edhe Fakultetin Ekonomik të Sarajevës, me të cilin nënshkruan një marrëveshje, në të cilën përfshihen plane për zgjerimin dhe forcimin e bashkëpunimit.

Përfaqësuesit e universitetit tonë po ashtu nënshkruan një memorandum bashkëpunimi me Fakultetin e Kriminologjisë dhe Studimeve të Sigurisë, si dhe Institutit për Hulumtimin e Krimeve kundër Njerëzimit dhe të Drejtës Ndërkombëtare.

Delegacioni u takua edhe me Fakultetin e Bujqësisë dhe Ushqimit, i përfaqësuar nga dekani Prof.Muhamedom Brka, ku biseduan për projektin e përbashkët BUGI “ Iniciativa e Ballkanit Perëndimor për Bujqësinë Urbane”, objektivat e të cilit janë, zhvillimi i programit të dytë të studimeve si dhe  të mësuarit gjatë gjithë jetës nga bujqësia urbane në Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë.

Gjatë vizitës delegacioni po ashtu u dërgua edhe ne Kampusin UNSA, dhe në Bibliotekën Kombëtare Universitare të Bosnjës dhe Hercegovinës, ku në mungesë të drejtorit të bibliotekës, delegacionin e pritën përfaqësuesit e tjerë të bibliotekës, me të cilët u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit të Bibliotekës Universitare të Sarajevës si dhe Universitetit “Haxhi Zeka”.

Kurse, Prorektorja për Mësimdhënie dhe Çështje Studentore Prof.Ass.Dr.Sabiha Shala, ishte e interesuar po ashtu për shkëmbimin e ndërsjellë në qasjen e Bibliotekës online, për shkak të programeve të studimit në gjuhën Boshnjake.