Reagim

Reagim ndaj një artikulli të portalit “Indeksonline” rreth kontratës së nënshkruar nga Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë, për pastrimin e veturave.

Fillimisht, Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë, dëshiron ta njoftojë opinionin publik se autori i shkrimit siç edhe vërtetohet përmes artikullit, nuk ka marrë mundin që të kontaktoi zyrtarët e Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, në lidhje me këtë procedurë, duke shkelur parimet bazë të profesionit të gazetarisë, dhe duke vepruar në mënyrë të njëanshme, andaj, këtë reagim dhe sqarim ua përcjellim të gjitha mediave, me qëllim që opinioni të informohet drejtë.
Portali “Indeksonline” artikullin e ka mbështetur në dokumentin: “Njoftim për nënshkrimin e Kontratës” të publikuar në webfaqen e Komisionit rregullativ të Prokurimit publik në Kosovë, për të krijuar opinion negativ, për shpenzimet e Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë.
E vërteta qëndron si vijon: Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë, me datë 08.04.2018, ka bërë ftesë publike për ofertë, për procedurën e prokurimit me titull: Pastrimi i veturave të UHZ-së, duke përdorur procedurën e Prokurimit: Kuotim i çmimeve për prokurimin me vlerë minimale.
Me datë: 17.04.2019, është bërë hapja dhe vlerësimi i ofertave të pranuara, ku janë pranuar 3 (tre) oferta nga Operatorët ekonomik, të gjitha ofertat e operatorëve ekonomik janë të përgjegjëshme, mirëpo, oferta e pranuar nga “D.P.Z “V- MORINA”, në këtë rast sipas kriterit për dhënie të kontratës (tenderi i përgjegjshëm me çmimin me të ulët) është shpallur fituese, në vlerë të përgjithshme 975.00€.
Kontrata e nënshkruar përfshinë larjen e 3 (tre) veturave zyrtare të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë (325 larje me çmim 3.00€), që përbën në total çmimin e përgjithshëm 975.00€, me kohëzgjatje deri me datë 31.12.2019, ose në rast të konsumimit të mëhershëm të sasisë së parashikuar të larjeve të veturave siç parashihet në dispozitat e LPP-së, kontrata e nënshkruar ndërpritet në mënyre automatike.
Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë, u bënë thirrje të gjitha mediave, që të bëjnë senzibilizim të drejtë të opinionit publik, dhe të mos ndikohen nga grupet e ndryshme të interesit, e të cilat për interesa të ngushta të tyre hedhin në opinion pasaktësi dhe të pavërteta.
Universiteti ” Haxhi Zeka” në Pejë, është i vetmi institucion i AL i cili publikon raportin e shpenzimit financiar në web-in e tij, në baza të rregullta të raportimit.
Gjithashtu, Universiteti ” Haxhi Zeka” në Pejë, ditët në vijim do t’i ndërmerr të gjitha veprimet ligjore kundër mediumit përkatës, lidhur me dëmtimin e imazhit të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë.
P.S. (Kjo është oferta e përzgjedhur nga Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë, për pastrimin e veturave të UHZ-së)

Oferta e përzgjedhur për Pastrimin e veturave të UHZ-së

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.