Letër nga Rektori

Të dashur studentë të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë

Të nderuar staf akademik dhe administrativ


Vendi ynë po kalon nëpër një gjendje të vështirë, ashtu sikurse edhe të gjitha vendet e Evropës dhe më gjerë. Statistikat po tregojnë që COVID-19 është virus shumë tinëzar dhe me aftësi shumë të mëdha për t’u përhapur. Edhe pse për momentin në vendin tonë numri i të infektuarve me COVID-19 nuk është i madh, të gjithë ne kemi obligim moral dhe kombëtar që të sillemi dhe të veprojmë sipas udhëzimeve të dala nga OBSH, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Ministria e Shëndetësisë e RKS-së.

Të dashur studentë, populli ynë ka ditur të sillet dhe veprojë në situata dhe kohë edhe me të vështira se kjo. 

Virusi COVID-19, siç po duket, është shumë i fshehtë dhe për fat të keq shumë i butë në ditët e para të infeksionit, ashtu siç janë edhe shumica e viruseve. Për këtë arsye, të gjithë ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe asgjë mos t’i lëmë rastit, përndryshe ne do të mbajmë përgjegjësi në qoftë se në një apo mënyrë tjetër ndihmojmë përhapjen e virusit. 

Për të kontribuar sado pak që ta mposhtim ketë pandemi që ka bllokuar edhe shtetet me të zhvilluara, UHZ është duke u përgatitur që të zhvillojë mësim në distancë, përmes platformave që ju mund t’i gjeni në WEB të UHZ-së. Meqenëse as kush nuk e di se sa do të zgjasë kjo pandemi, jemi të detyruar që të fillojmë mbajtjen e ligjëratave në distancë. 

Të dashur studentë, meqenëse është hera e parë që Universitetet Publike të Kosovës janë të detyruara të fillojnë mësimin në distancë (Online), kërkojmë angazhimin tuaj maksimal që së bashku ta kalojmë këtë sfidë të rëndë që ka kapluar botën.

Të dashur studentë, për ta përmbyllur me sukses këtë vit akademik, si Rektor i Universitetit “Haxhi Zeka” Pejë, do të kërkoj nga Prorektorët, Dekanët, Prodekanët, Profesorët, Asistentët dhe i gjithë Stafi Administrativ të japin maksimumin e tyre në mënyrë që së bashku me ju, ta kalojmë këtë sfidë dhe të dalim të suksesshëm.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.