Fakulteti i Biznesit është pasardhës dhe trashëgues legjitim i Fakultetit të Shkencave të Aplikuara të Biznesit në Universitetin e Prishtinës – fakultet i cili ka qenë trashëgues i Shkollës së Biznesit në Pejë dhe i Shkollës së Lartë Ekonomike të themeluar në vitin 1960, si institucion i mëvetësishëm i emërtuar Shkolla e Lartë Ekonomike – Komerciale në Pejë. Në vitin akademik 2001/2002 Shkolla e Lartë Ekonomike u reformua sipas modelit të Deklaratës së Bolonjës dhe po në këtë vit Senati i Universitetit të Prishtinës miratoi planet mësimore sipas kësaj deklarate për nivelin bachelor. Kjo shkollë u riemërua në Shkolla e Biznesit, pastaj në Fakulteti i Shkencave të Aplikuara të Biznesit dhe se voni sipas vendimit senatit të UP-së me nr. ref. 3/914 të dates 27.10.2010 në Fakulteti i Biznesit.

Fakulteti i Biznesit i Universitetit Publik të Pejës “Haxhi Zeka” (UPP), me seli në Pejë, është bartës i studimeve themelore, master dhe të tjera të përcaktuara me Ligjin e Shkollimit të Lartë dhe me Statut të UPP-së.

Studimet e rregullta dhe ato me korrespondencë në Fakultetin e Biznesit në Pejë organizohen për fitimin e përgatitjes akademike Bachelor i Arteve dhe Master i Shkencës. Deri më tani në nivelin bachelor në Fakultetin e Biznesit kanë diplomuar 1940 studentë, kurse në ish-Shkollën e Lartë Ekonomike nga viti 1960 kanë diplomuar gjithsej 2868 studentë me mësim në gjuhën shqipe. Në këtë vit akademik Fakulteti i Biznesit ka 3333 studentë në nivelin Bachelor dhe 280 studente në nivelin Master, ndërsa në procesin mësimor janë të angazhuar 29 mësimdhënës e asistentë në marrëdhënie të rregullt pune dhe 32 me punë plotësuese e të angazhuar.

Fakulteti i Biznesit përbëhët prej tri departamenteve. Në të tri departamentet ofrohen studime bachelor dhe master. Departamentet që ofrohen janë:

  • Administrim biznesi
  • Administrim biznesi (gjuhë boshnjake) dhe
  • Kontabilitet dhe financa