Konferenca e Rektorëve e Universiteteve Publike të Republikës së Kosovës

Konferenca e Rektorëve e Universiteteve Publike të Republikës së Kosovës

Komunikatë për media

Konferenca e Rektorëve e Universiteteve Publike të Republikës së Kosovës, të martën më 16.01.2018, ka zhvilluar takimin e radhës në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren.

Konferenca e Rektorëve në përbërje të plotë shprehë shqetësimin lidhur me qasjen e MASHT ndaj reformës së Universiteteve publike. Kjo qasje ka ngjallur shqetësime në mesin e studentëve dhe te personeli akademik e administrativ i universiteteve publike.

Ne, rektorët e universiteteve publike, e përkrahim çdo iniciativë që shkon në funksion të ngritjes së cilësisë dhe për profilizimin e universiteteve publike, e cila do të rrjedhë nga bashkëpunimi me universitetet.

Pjesëmarrja e personelit akademik të universiteteve publike në grupet punuese të MASHT-it, do të sillte diskutime serioze dhe profesionale për kahen e arsimit të lartë në Kosovë, duke i kontribuar zhvillimit të gjithmbarshëm të shoqërisë sonë.

Universitetet janë të hapura për bashkëpunim dhe reformë në arsimin e lartë, por kjo mund të bëhet vetëm me bashkëpunim të ndërsjellë.

Iniciativat parimore të MASHT që përfshijnë debat gjithëpërfshirës për avancimin dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të universiteteve janë të mirëseardhura.