Seminari “Fushata Vetëdijësuse nje Fije Dritë”

Seminari “Fushata Vetëdijësuse nje Fije Dritë”

Seminari “Fushata Vetëdijësuse një Fije Dritë”

Sot me datë 13/12/2017 u mbajt seminari “Fushata Vetëdijësuse një Fije Dritë” në Universitetin Haxhi Zeka në Pejë, Fakulteti Juridik, ku morën pjesë Rektori i Universitetit Haxhi Zeka Prof. Dr. Fadil Millaku, Prorektorja, Prof. Ass. Dr Sabiha Shala, znj. Elvana Shala Ambasadore e Vullnetit të Mirë në OKB nga Kosova, znj. Feride Rushiti drejtoreshë e OJQ KRCT, znj. Leonora Selmani Agjencia për Barazi Gjinore në Kosovë, znj. Veprore Shehu OJQ Medica, u.d. Dekan-ja e Fakultetit Juridik Prof. Ass. Dr. Gjylbehare Murati dhe mbi njëqind e pesëdhjetë (150) pjesëmarrës – studentë, staf akademik dhe administrativ.

Takimin e hapi Rektori Prof. Dr. Fadil Millaku, duke i përshëndetur dhe falënderuar të pranishmit për pjesëmarrje “Me lejoni që në emrin tim dhe të menaxhmentit të UHZ-së, të ju shpreh mirëseardhje në këtë seminar qe ka si temë diskutimi “Çasja në drejtësi e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë” e cila organizohet në UHZ me rastin e Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

Çdo kund në botë luftërat kanë lënë plagë të pa shërueshme dhe pasoja shkatërrimtare edhe lufta e fundit në Kosovë kishte karakter të pastrimit etnik me elemente të gjenocidit e shoqëruar me krime të shumta dhe përdhunime ndaj popullatës civile.

Të gjithë e dimë se liria është gjëja me e rëndësishme në botë dhe se lufta për liri e popullit tonë ishte vërtetë një luftë e drejtë dhe e shenjtë për ne.

Ne nuk mund t’a ndryshojmë të kaluarën por e kemi obligim moral dhe kombëtar  që të punojmë për një të ardhme më të mirë dhe të sigurt për fëmijët tanë, për rininë e Kosovës, për nënat dhe motrat tona që u keqtrajtuan dhe u përdhunuan nga Ushtria dhe Policia serbe.

Ky seminar është një hap i vogël i UHZ-së, dhe do shërbej si argument në sensibilizimin e Organeve të Drejtësisë që t’i nxjerrin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar të gjithë ata kriminel që shkelën të gjitha ligjet e luftës. Ju faleminderit”, ishte ky fjalimi i Rektorit z.Millaku.

Të pranishmëve ju drejtuan edhe Ambasadorja e Vullnetit të Mirë në OKB znj. Elvana Shala, e cila diskutoj për rëndësinë e fushatës “Një Fije Dritë” e cila theksoi: Që është mjaft e rëndësishme futja në librat e historisë e këtyre krimeve makabër të bëra gjatë periudhës së luftës. Gjithashtu të pranishmëve i’u drejtuan edhe znj Feride Rushiti – KRCT, znj. Leonora Selmani – ABGJ, znj Veprore Shehu – Medica, të cilët theksuan rëndësinë e vetëdijesimit, ndjekjes dhe ndëshkimit të të gjithë kryesve të këtyre veprave kriminale.

Prorektorja Prof. Ass. Dr. Sabiha Shala pas përshëndetjes së të pranishmeve dhe falënderimit për pjesëmarrje, tha :“Në fakt ne si Universitet arritëm sot që të organizojmë këtë seminar për të kontribuar sado pak në pritjen e vetëdijes për kërkimin e drejtësisë për këtë kategori të shoqërisë tonë. Si do që të jetë, si prorektorë për mësim do të shfrytëzoj rastin që nga kjo foltore të ju bëjë thirrje të gjithëve por në veçanti stafit akademik, studentëve të pranishëm në këtë seminar që të japin kontributin e tyre për këtë kategori të shoqërisë, plagë të shkaktuar nga lufta në Kosovë.

Prorektorja, Prof. Ass. Dr. Sabiha Shala, theksoi që në kuadër të Fakultetit Juridik të Universitetit Haxhi Zeka, se fusha e parë e cila do të jetë subjekt i hulumtimit nga ana e institucionit që do të themelohet shumë shpejt, pikërisht cak i hulumtimit të kësaj kategorie të viktimave”.

Lidhur me këtë u.d. Dekan-ja e Fakultetit Juridik i ftoj të pranishmit që të ju bëjë pyetje panelistëve në lidhje me ketë fenomen, me ç’rast u zhvillua një diskutim produktiv lidhur me këtë fenomen mjaft të ndjeshëm për shoqerinë tonë, në fund pjesëmarrësve i’u shpërndan certifikata.